Artizanë/Suvenire

Zahire Shqiptare

Dyqani “Zahire Shqiptare” ndodhet në Qafën e Pazarit dhe ofron produkte natyrale dhe organike të mbledhura nga gjithë zonat e rajonit të Gjirokastrës. Produket janë nga më të ndryshmet si: çajra të ndryshëm, mjaltë, makarona të bera vetë etj. Çdo produkt ka historinë e tij, produktet janë të paketuara në një mënyrë shumë tërheqëse. ‘Zahire Shqiptare’ është dyqani që bën bashkë traditën e fermerëve dhe artizanëve të Gjirokastrës.

Edua Gjirokaster

EDua është një biznes social, në zemër të pazarit të vjetër, që promovon dhe shet produkte tipike shqiptare, të sjella në dyqan nga fermerët dhe artizanët e rajonit. Gjithë produktet janë të freskëta dhe të përgatitura sipas traditës së vjetër. Në dyqanin tonë ne prezantojmë jo vetëm produktet por dhe historinë e fermerit, bletërritësit, artizanit etj. Ofrojmë një mundësi që ju të jeni gjithashtu pjesë e përpunimit të këtij ushqimi në dyqanin tonë. Disa produkte që mund të gjeni në dyqanin tonë janë: Raki, verë dhe pije tradicionale, gliko me gjithë frutat, vaj ulliri, ullinj, produkte bulmeti, drithëra, fruta të thata, zarzavate etj.

Gjithë produktet mund ti shijoni në katin e dytë në restorantin Edua, të gatuara me shumë dashuri nga gjyshja e familjes që zotëron këtë biznes.

Dyqani Vjollca Mezini

Ky dyqan ndodhet gjithashtu në Pazarin e Vjetër, në hyrje të tij. Vjollca është ndër të paktët qëndistarë të talentuar që kanë mbetur në qytetin e gurtë. Gjithë familja e saj në disa breza ka trashëguar këtë mjeshtëri. Vjollca e di se çfarë duan turistët dhe u shërben me kënaqësi. Ajo ka krijuar me punët e saj dhe imazhin e qytetit, pamje te shtëpive të bukura, kështjellën, dhe vende të tjera të njohura, duke i punuar ato me shumë mjeshtri në produktet që tregton.

Dyqani i Anastas Petridhit

Ai është një nga mjeshtrat më të mëdhenj të drurit në qytet. Nëse hyn në dyqanin e tij do mahnitesh nga lloj lloj punimesh me fokus qytetin, heronjtë kombëtarë, shtëpitë  e traditat. Anastasi ka mësuar këtë profesion që kur ishte fëmijë. Tani ai mund të bëjë gjëra të bukura në kohë rekord, madje merr porosi edhe ne vend dhe i realizon ato për turistët që presin. Ai mund të transformojë një copë druri në një vepër arti. Ai mëson shpesh dhe shumë turistë si të punojnë drurin. 

Dyqani i Muhedin Makrit

Muhedini është mjeshtri historik i gurit në lagjen e pazarit. Ai është mbi 70 vjec dhe ende e vazhdon punën e tij. Në dyqanin e tij gjen lloj lloj punimesh që gjithashtu kanë në fokus historinë e qytetit, kalanë, heronjtë, dhe shumë vepra të tjera arti. Edhe sot atë e gjen atje duke punuar në stolin e tij jashtë dyqanit. Të huajt marrin produktin që u pëlqen dhe pastaj duan që ai të gdhëndë emrin e vet aty, për ti kujtuar që e kanë blerë produktin direkt nga mjeshtri që e gdhendi.

Dyqani artizan “Manohandmade”

Ky dyqan ndodhet në qendër të Gjirokastrës, në pjesën e pazarit të vjetër. Dyqani ofron produkte handmade, të frymëzuzara nga idetë dhe krijmtaria e artistëve të rinj, piktorëve të rinj. Ajo që pikturohet nga të rinjtë, kthehet në vepër arti nga artizanët duke krijuar aksesorë të ndryshëm për burra dhe gra, si bizhuteri, unaza, çanta, magnete, vathë etj

Tel: +355 (0)69 36 98 576

email: mano.handmade16@gmail.com

Facebook: Mano Handmade

Instagram:Mano Handmade

About the Author

By visit-gjirokastra / Administrator, bbp_keymaster

Follow visit-gjirokastra
on Mar 12, 2019

Skip to toolbar