Një ngjitje në Malin e Murganës, Dropull

Rajoni i Gjirokastrës është i rrethuar me male, pyje të bukura, ujëvara, lumenj dhe lugina. Aktivitetet e ngjitjes, alpinizmit dhe ecjes në natyre po ofrohen tashmë si një mundësi e shtuar për të kombinuar  turet kulturore në qytetin e vizituar UNESCO. Janë shumë tur operatorë lokalë që ofrojnë ture në natyre në disa pjesë të Gjirokastrës dhe në zonat malore të saj. Këtë fundjavë një grup qytetarësh u ngjitën në malin Murgana, që ndodhet në lartësinë  1806 metra. Murgana në fakt është pjesë e një vargmali që ndan kufirin shqiptar me atë grek. Edhe emri i malit është huazuar nga greqishtja, pasi shqiptarët nuk i kanë venë emër tjetër këtij mali.

Ka shumë pyje në pjesën e ulët të këtij shtegu dhe kullota në pjesët e larta. Fshati më i afërt është Sotira. Ju mund të mbërrini në këtë fshat me makinë dhe pastaj të nisni ngjitjen, që do të zgjasë plot 4 orë. Rruga kalon nëpër pyllin e Sotirës, një zonë e mbrojtur e mbushur me pishadhe bredha. Kushdo mund ta bëjë këtë tur, edhe ata që nuk janë të stërvitur, pasi nuk kërkon vështirësi përvec se ecje për një kohë të gjatë.  Patjetër duhet të jeni shoqëruar me guidë lokale që e njeh mirë këtë shteg. Mund t’i bashkoheni ‘Alpinistëve të Gjirokastrës’, që e bejnë rregullisht këtë tur. Kur të mbërrini në majë të Murganës do ndiheni të shpërblyer nga pamja mahnitëse që të ofron natyra shqiptare.

Ky mal ka një histori, pasi ka qenë vendkalimi kryesor i emigrantëve për të emigruar drejt Greqisë në vitet 90, në kërkim të një jetë më të mirë. Kjo pasi kjo zonë malore dhe e pashkelur shumë nga njerëzit nuk kishte kontrolle të shumta policore. Sot ka disa gure të mëdhenj që tregojnë ndarjen e kufirit. Gjithë zona është e pasur më shumë bimë medicinale dhe dru frutore, kryesisht me dëllinjë të kuqe, sherebelë, trendafili i eger etj

 

About the Author

By visit-gjirokastra / Administrator, bbp_keymaster

Follow visit-gjirokastra
on Jan 13, 2020