Dhoksat, fshati authentik i Lunxherisë

Lunxheri, Gjirokaster
(Average 0 of 0 Ratings)
  • place-img
  • place-img
place-imgplace-img

Dhoksati është një nga fshatrat më autentikë të zones së Lunxhërisë. Ai ruan ende konfigurimin e tij original, kalldrëmet dhe banesat.

Sapo i afrohesh fshatit, një ndër ndërtesat që dominon pamjen e tij, është banesa e Çuçajve. Banesa dy katëshe me muraturë guri dhe mbuluar me çati me rrasa guri, me një qoshk të suvatuar që del në fasadën ballore të katit të parë, është ndërtuar në vitin 1860, datim që e gjejmë të gdhendur në dy nga këndet e ndërtesës. I njëjti datim ka qenë i pikturuar edhe në ballin e qoshkut, por pas ndërhyrjeve të shumta, sot ai është zhdukur. Nga pikëpamja volumetrike dhe planimetrike banesa është me dy krahë duke i përngjasuar banesës gjirokastrite dhe dëshmuar nivelin e lartë mjeshtëror dhe ekonomik të fshatit në këtë periudhë. Për vlerat arkitekonike dhe kulturore që mbart, ajo është shpallur në vitin 1983 Monument Kulture i Kategorisë së Parë.

Përgjithësisht, kati përdhe përdorej për katua, me ambiente të mbyllura, dritare të vogla dhe pa trajtim dekorativ. Ndërsa kati i parë organizohej me dhomën e miqve, atë të zjarrit dhe ambientet e tjera të banimit e ndihmëse, ka më tepër ndriçim me dritare të mëdha dhe trajtohet më me përkujdesje nga ana dekorative.

Megjithëse banesa ka pësuar rindërtime të pjesshme, ajo ruan ende vëllimin dhe vlerat e saj estetike.