Labovë e Sipërme

(Mesatarja 0 nga 0 Vlerësime )

Fshati Labove e Sipërme është Njësi administrative” Odrie” në Bashkinë Libohovë, Qarku Gjirokastër. Eshtë e shquar për historinë dhe vlerat e mëdha kulturore që ajo mban në rrjedhën e shekujve. Monumenti “Kisha e Labovës së Kryqit” është njëri nga monumentet më interesante në Shqipëri që i kushtohet Shën Marisë. Atje shkohet duke ndjekur autostradën që […]

Fshati Labove e Sipërme është Njësi administrative” Odrie” në Bashkinë Libohovë, Qarku Gjirokastër. Eshtë e shquar për historinë dhe vlerat e mëdha kulturore që ajo mban në rrjedhën e shekujve. Monumenti “Kisha e Labovës së Kryqit” është njëri nga monumentet më interesante në Shqipëri që i kushtohet Shën Marisë. Atje shkohet duke ndjekur autostradën që të çon në Sofratike dhe kthehesh për në Libohovë. Në kthesën drejt Libohovës merret rruga që shkon në Suhë dhe vazhdohet në këtë rrugë deri në një kthesë djathtas në drejtim të lartësive të kodrave. Pak kilometra më tej është Labova e Kryqit, i gjithë udhëtimi merr rreth 40 minuta. Kisha e Labovës së Kryqit është një nga më të vjetrat në Shqipëri dhe dikur përmbante një relike të shenjtë që besohej se ishte pjesë e kryqit të vërtetë të Krishtit. Ndërtesa është tipike bizantine me një kupolë të lartë qendrore me navën dhe aislet të ndërtuara në mënyrë që të krijojnë figurën e kryqit. Ka të paktën 9 nivele të dallueshme afreskesh të pikturuara në sipërfaqen e mureve të brendëshme. Kisha, siç shihet sot është kryesisht ndërtim i shekullit të 13-të dhe kohës së Despotatit të Epirit, megjithëse themelet fillestare mund të shkojnë thellë në kohën e Perandorit Justinian në vitet 527-565 e.j.

Në tërësi mund të përmendim vlerat e Labovës, si kompleksi i banesave të familjes Zhapa, mësonjëtorja e vjetër, kisha dhe manastire të ndyshme. Edhe peisazhi është i bukur dhe i rrethuar nga lugina dhe vende piktoreske, të mbuluara nga bimë të shumta medicinale. Mund të bëhet hiking në zonën e Labovë-Libohovë, Labovë-Përmet dhe në malin Burreto. Ndër festat më të spikatura janë Pashkët në Labovën e Kryqit. Pasuri të trashëgimisë tonë kulturore të lashtësisë, antikitetit dhe periudhave të tjera të zhvillimit të jetës njerëzore, qytete antike, kështjella, objekte kulti, manastire dhe kisha të pasura me ikonostase, afreske, ikona, antikuarë, orendi e vepra arti dhe artizanati me vlerë të jashtëzakonshme janë të shumta. Edhe pse disa janë grabitur dhe shkatërruar ato që kanë mundur të shpëtojnë janë të shumta dhe duhet të ruhen të paprekura si thesare të trashegimisë kulturore. Banorët e fshatit ruajnë si gjënë me të vyer të tyre kishën që i dha emrin fshatit, një nga më të vjetrat në Shqipëri dhe që dikur mbante një relikte të shenjtë, një kryq që besohet të jetë një fragment i Kryqit të Vërtetë të Krishtit, por që fatkeqësisht u zhduk në vitin 1989-90. Bëhet fjalë për një relikte të rrallë prej së cilës fshati mori emrin e vet. Edhe pse ekzistojnë mundësi të jashtëzakonshme historike, klimaterike dhe tradicionale për të përmirësuar jetën dhe të ardhurat, burimet e jetës për labovitët do të mbeten vreshtaria, bagëtia dhe emigracioni.

Kisha mbretëreshë e Shën Mërisë

Nuk është kishë si gjithë të tjerat, ajo është e lashtë me shumë enigma dhe mendohet se është ndertuar mbi një vend pellazgjik. Boll lodhen studiuesit nga gjithë bota për të zbërthyer kishën tonë të Shën Mërisë, ajo është magji, legjend e gjallë por e vështirë për tu zbërthyer. Në ikonostasin e gdhendur në dru dhe të lyer me flori është gjithë historia nga “Dhiata e Vjetër” e Biblës. Nga jashtë ndërtesa paraqet një arkitekturë të mënyrës më tipike bizantine, me një kupolë të lartë qëndrore me neft të rregulluar dhe përforcuar me kondrafort. Një narteks i ndërtuar më vonë eshtë i vendosur në hyrjen kryesore. Kisha e Shën Mërisë është relike e gjallë që u ka rezistuar të gjitha shekujve.

Pasuri tjeter e kulturës është edhe kisha e Shën Julitës në Manastirin e Dhuvjanit

Në gjithë territorin e fshatit Labovë gjenden  32 kisha dhe 4 manastire. Manastiri i Shën Thomait me gurë pellazgjikë gjendet te Moni, manastiri i Koçiut te Lunxhatet, manastiri i Shën Gjergjit dhe manastiri i Shënkollit apo si quhet dhe i Poseidonit. Kur vjen nga Libohova kemi kishën Mat pastaj në breg të Qishamotit është kisha e Shën Kollit dhe fshati ka 4 kisha të Shën Kollit. Vijojmë të ecim më tej, te shpella e Kokoshit gjendet kisha e Shën Kostandinit, në mes të fshatit kisha e madhe e Shën Mërisë, pastaj kisha e Janit që quhet edhe e Justinianit, kisha e Lisit të Madh, kisha e kryqit pas shkollës, kisha e Gulajve, manastiri i Shën Gjergjit, një rrënojë e vjetër që gjendet në afërsi të një peme të rrallë shumëshekullore që vendasit e quajnë “vënjë”, që ndodhet në shpatet e zhveshura të malit të Buretos, përballë fshatrave të Stegopullot, Suhës dhe Selcës përtej lumit të Suhës.

Në trekëndëshin Antigone – Stegopul – Labovë

ka vite që studiohet, gjurmohet dhe hulumtohet çdo e dhënë që lidhet me kulturën pellazge dhe sidomos me “Tempullin e Dodonës”, që konsiderohet si tempulli më i lashtë i Europës. Sipas shkrimeve të kohëve antike në këtë tempull ndodhej orakulli më i famshëm i antikitetit dhe vetëm pas lulëzimit të tij, shumë më vonë erdhi në histori “Tempulli i Delfit”. Orakulli i Dodonës kishte prestigjin më të madh në botën antike, pasi ai ishte ngritur për nder të Zeusit dhe sipas legjendave llogaritet që në vendin e Dodonës të ketë pasur një tempull që 3000 vjet para Krishtit. Sfida e arkeologëve e studiuesve shqiptarë dhe të huaj është që të kenë shtytjen dhe besimin për gjetjen e rrënojave të tempullit të tejlashtë, duke i shtuar një gur tjetër diamantit të  historisë botërore, për të shkuar drejt nxjerrjes në dritë të së vërtetës pasi ende ka hipoteza dhe dyshime të shumta për vendndodhjen e vërtetë të këtij tempulli. Përmëndjen e një Kryqi me vlerë të tillë relikuare e gjejmë në Kronikën e Drianopojës botuar nga Pukëvili më 1821, tek Dh. Evangjelidhis më 1913, si dhe tek Nikolaos J. Mistiakidhis më 1904.

Theksimi më 1904 i studiuesit Nikolaos J. Mistiakidhis, se Kryqi i Labovës ka hyrë në hapësirën shqiptare më prill të vitit 559 i shoqëruar nga njeriu më i afërt i perandorit Justinian, shpatari i parë Kostandini nga Labova së bashku me katër priftërinj dy prej të cilëve quheshin Theofilos dhe Pangratios duket i besueshëm. Ndërsa nisur nga arkivimi i kryqeve të tillë në historinë e krishterë, kjo e dhënë duket e nxituar. Nuk mund të përjashtojmë mundësinë që në Kryqin e Labovës nuk ka elementë ikonografikë që intrigojnë këtë periudhë të hershme bizantine nën mbretërimin e Justinianit, siç është nyja e gdhëndur me figurime deshësh, mënyra e perçinimit, përkushtimi i Perëndisë At me simbolin e një borse, kryqet e fiksuara mbi glob. Por i parë në tërësinë e tij, Kryqi i Labovës qëndron koherent dhe për shumë periudha artistike më të vona. Ky dualitet vlerash historike dhe artistike i trupëzuar në të, duket se e kthen Kryqin e Labovës në një relike vlerash pa kohë. Sot vendndodhja e Kryqit të Labovës nuk dihet, por ai përkujtohet në kishë ditën e festës së saj më 8 Shtator, kur mblidhen të gjithë  banorët brenda dhe jashtë vendit. Një nderim të veçantë zë përkujtimi i Kryqit të Shenjtë që u lidh përjetësisht me emrin e vendbanimit të tyre, Labovës. Me sa duket historia e këtij vendi fshihet por nuk humbet, ashtu si Krishti i mishëruar nën simbolin e luanit me këmbët e prapme të mbështjella, ecën dhe fshin gjurmët e tij. Me inagurimin e Kishës, Perandori Jusitnian i dhuroi asaj1000 monedha floriri, 200 rënje ullinj si dhe 1/10 e prodhimit të zonës përreth që kisha të mirëmbahej me shpenzimet e veta. Në Labovën e Kryqit priftërinjtë kanë dhënë meshë në gjuhën shqipe dhe atë greke.

Për te bërë të aksesueshme këto thesare të trashëgimisë sonë duhet të përmirësohet infrastruktura me shtrimin e rrugëve, që turistët të mund të vijnë edhe në Kishën e Kryqit, kisha më e vjetër e ndërtuar nga perandori Justinian, por që sot është totalisht e restauruar. Fshati me histori të vjetër që i përket të dyja epokave para erës sonë dhe këtij 2000 vjeçari ka qenë lënë në harresë. Para erës sonë lashtësinë e këtij fshati e dokumenton vetë kalaja e lashtë ilire, pellazge që ndodhet në këtë fshat. Është një kala gjigande që ofron shumë vlera të trashëgimisë sonë kulturore. Për 2000 vjeçarin tonë është kisha e Labovës, e ndërtuar më 554. Po si është ndërtuar kisha e Shën Mërisë në Labovë? Ajo është ndërtuar nga vetë perandori Justinian si dhuratë për Kostandinin e Labovës. Kostandin Laboviti ka shërbyer në oborrin e perandorit Justinian në Romë. Ishte gjeneral i ushtirsë së Justinianit dhe fitoi të gjitha luftrat ku mori pjesë. Pas fitoreve të njëpasnjëshme perandori Justinan “i tha se çfarë donte si dhurate për fitoret e tij”,  ai i përgjigjet “unë nuk dua asgjë, por dua që në fshtain tim Labovë të ndërtohet një kishë e bukur”. Kështu vetë perandori Justinian më 554 urdhëroi ndërtimin e kësaj kishe që kemi trashëguar ne sot. Kjo kishë ka patur 12 murgjër dhe të gjitha besimet kristiane vareshin nga kjo kishë. Fshati ka patur përreth 2000 shtëpi. Po pse fshati mori emrin Labovë e Kryqit? Pasi u ndërtua kisha vetë perandori Justinian thirri në oborrin e tij 15 burra labovitë për përshtypjet e tyre për kishën. Ai pasi i degjoi e quajti fshatin  Labova e Kryqit.

Labova e Sipërme në rajonin e Gjirokastrës, është e vendosur 146 km në jug të Tiranës, kryeqytetit të vendit dhe 15 km larg Gjirokastrës.

Aktivitete tipike që zhvillohen

8 Shtator, Dita e Kryqit të Labovës së Sipërme.

Shtator 2018, Festivali Argjiro-Festë.

Ditet e Trashëgimisë Europiane (Panairi i Artizanit).

Skip to toolbar