Atraksione arkeologjike & fetare në Gjirokastër
Shën Kolli në Këllëz
Lunxhëri, GjirokasterNga Dhoksati ndahen dy rrugë që të shpien në Këllëz dhe Qestorat. Këllëzi është një fshat i vogël piktoresk me banesa dhe kroje interesante.
Në pjesën e sipërme të fshatit pas një ecjeje të shkurtër në këmbë arrihet në kishën e Shën Kollit. Kisha e mirëmbajtur nga banorët ka arkitekturë të thjeshtë por të hijshme. Ajo është njënefëshe me narteks. Në brendësi të saj ruhen pjesë të rëndësishme të afreskeve të punuara nga Vasili dhe Joani nga Qestorati, të datuara në fund të shek. XVIII.
Brenda në kishë ruhet edhe një stelë (gur varri) e periudhës helenistike e ripërdorur në kishë. Ajo ka ende në sipërfaqe pjesë pikture që tregon se është përdorur në brendësi të kishës, ndoshta në ikonostas.
Pranë kishës duken mjaft blloqe guri të skuadruar antikë që dëshmojnë për ekzistencën aty të një vendbanimi të hershëm.