Gjirokastra feston 15 vjet në UNESCO

Gjirokastra u shpall qytet muze në vitin 1961 gjatë regjimit komunist. Ishte vendim i mirë për të ruajtur atë që kish mbetur në qytet nga luftërat, pushtuesit dhe nga degradimi në vite dhe dekada. Gjatë kësaj periudhe u bënë disa restaurime, kalldrëmet me gurë nëpër lagje si dhe disa rinovime në pazar, kështjellë, muzeun etnografik. Por qyteti meritonte më shumë, gjirokastritët e dinin se qyteti i tyre kishte vlera të mëdha dhe i ruanin ato me shumë . Por gjatë viteve të trazuara të 97 qyteti ra pre gjithashtu e anarkisë, askush nuk e vriste mendjen për shtëpitë apo për rëndësinë e tyre. Një situatë alarmante për degradimin e qytetit muzeal e detyroi bashkinë e Gjirokastrës të kërkonte ndihmë. Ndihma e parë erdhi nga Ministria Franceze e Kulturës, e cila i dha orientimin se qyteti mund të kerkonte ndihme tek UNESCO-s për të fituar një status të mbrojtur.

Sipas ish-kryetarit të Bashkisë Gjirokastër Ylli Asllani, procesi filloi në vitin 1998 kur ata filluan një plan me përfaqësuesit e shoqatës Francë-Shqipëri dhe përfaqësues të Ambasadës Franceze në Tiranë. Së bashku përgatitën një kërkesë zyrtare për t’u dorëzuar direkt në UNESCO në një konferencë të organizuar në Pallatin Bourbon, afër Parlamentit Francez. Në fakt nuk ishte një kërkesë për të promovuar vlerat dhe rëndësinë e qytetit të bukur të Gjirokastrës, por një sinjal alarmi që kërkonte ndihmë për të mbrojtur këtë qytet, ndaj dhe projekti u quajt ‘Gjirokastra SOS’, – kujton ish kryebashkiaku Allsani në një intervistë për mediat shqiptare. Në këtë konferencë të madhe në Paris mori pjesë edhe shkrimtari shqiptar nga Gjirokastra, Ismail Kadare, i cili ishte shumë i njohur në Francë në atë kohë, si dhe ambasadori ynë në UNESCO, Jusuf Vrioni. Ajo konferencë ishte përplot me mbështetës të Gjirokastrës, ndaj rruga drejt UNESCO-s mund të quhej e hapur.

Por pas këtij momenti, ishte një listë e kërkesave për t’u përmbushur, dokumente që të vërtetonin vlerat e jashtëzakonshme të kësaj pasurie, misione monitorimi nga arkitekte, specialistë të trashëgimisë botërore për ti verifikuar këto vlera në terren, një proces i cili zgjati 5 vjet për të përgatitur dosjen e nominimit. Një punë e palodhur deri në përfundimin e procesit u bë nga ambasadorja e radhes,  Tatjana Gjonaj, një gjirokastrite me origjinë, puna lobuese e të cilës ka qënë e jashtëzakonshme, ndërkohë që ajo ka punuar në të njëjtën kohë që qyteti Berat të hynte së bashku me Gjirokastrën, si dy qytete me shumë ngjashmëri.

Ishte korriku i vitit 2005, pra fiks 15 vjet më parë, kur Gjirokastra u bë pasuri e UNESCO-s përmes një procesi shumë mikpritës dhe dashamirës nga përfaqësuesit e UNESCO-s dhe të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate. Sot Gjirokastra i ruan vlerat dhe shtëpitë historike më së miri, dhe ato sot janë atraksione turistike për këdo që viziton qytetin e gurtë.

Në këtë 15 vjetor, Bashkia Gjirokastër ka përgatitur një javë aktivitete të ndryshme për të festuar, përfshi sesione shkencore, ekspozita, panaire ushqimore Shqiperia punon Tokën, dhe plot aktivitete festive.

 

Vlerat unike universale (sipas faqes se UNESCO)

Ja çfarë thotë UNESCO për vlerat e jashtëzakonshme të këtyre dy qyteteve në Shqipëri teksa në Korrik 2005 ato u listuan si pasuri botërore:

Berati dhe Gjirokastra, këto dy qendra të fortifikuara historike janë ruajtur jashtëzakonisht mirë, dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për ndërtesat e tyre të brendshme. Ato kanë qenë të banuara vazhdimisht që nga kohërat e lashta e deri në ditët e sotme. Të vendosur në Ballkan, në Shqipërinë Jugore, dhe afër njëri-tjetrit, ata dëshmojnë pasurinë dhe larminë e trashëgimisë urbane dhe arkitekturore të këtij rajoni.

Berati dhe Gjirokastra dëshmojnë për një mënyrë jetese e cila është ndikuar gjatë një periudhe të gjatë nga traditat e periudhës Osmane, ndërsa në të njëjtën kohë përfshijne më shumë ndikime antike. Kjo mënyrë e jetës ka respektuar traditat e krishtera ortodokse të cilat kështu kanë mundur të vazhdojnë zhvillimin e tyre shpirtëror dhe kulturor, veçanërisht në Berat.

Gjirokastra u ndërtua nga pronarë të mëdhenj të tokave. Rreth kështjellës së lashtë të shekullit të 13-të, qyteti ka shtëpi me kulle të cilat janë karakteristike për rajonin e Ballkanit. Gjirokastra përmban disa shembuj të mrekullueshëm të shtëpive të këtij lloji, të cilat datojnë nga shekulli i 17-të, por edhe shembuj më të hollësishëm që datojnë nga fillimi i shekullit XIX.

Kriteri (iii): Berati dhe Gjirokastra japin dëshmi të jashtëzakonshme për larminë e shoqërive urbane në Ballkan, dhe për mënyrat e jetës së gjatë që sot janë zhdukur pothuajse. Planifikimi i qytetit dhe strehimi i Gjirokastrës janë ato të një qyteze qyteze të ndërtuar nga pronarë të shquar të tokave, interesat e të cilëve lidheshin drejtpërdrejt me ato të pushtetit qendror. Berati mban gjurmët e një stili jete më të pavarur, i lidhur me artizanatin dhe funksionet e tij tregtare.

Kriteri (iv): Së bashku, të dy qytetet e Gjirokastrës dhe Beratit japin dëshmi të jashtëzakonshme për lloje të ndryshme monumentesh dhe strehimesh urbane të panumërta gjatë periudhës klasike otomane, në vazhdimësi me kulturat e ndryshme mesjetare që i paraprinë, dhe në një gjendje bashkëjetese paqësore me një pakicë të madhe të krishterë, veçanërisht në Berat.

Integriteti i përgjithshëm i dy qyteteve është i kënaqshëm, megjithëse kjo u ndikua negativisht nga ndërtimet pa leje në fund të viteve 1990. Autenticiteti është gjithashtu i kënaqshëm, por menaxhimi i ruajtjes duhet të rritet dhe të zbatohet me kujdes, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

https://whc.unesco.org/en/list/569/

About the Author

By visit-gjirokastra / Administrator, bbp_keymaster

Follow visit-gjirokastra
on Jul 15, 2020

Skip to toolbar