Hej Holly Baxter!
Ke të drejtë! Gjirokastra, nuk është për çdo njeri. Këtu ke disa arsye që ta konfirmojnë:
– Mos hajde në Gjirokastër nëse ke vetëm disa orë për të shpenzuar, nëse kërkon thjesht ta shtosh në listën e vendeve që ke vizituar, dhe do të largohesh me një selfi. Nuk është ky lloj destinacioni.
– Mos hajde në Gjirokastër nëse nuk ke lexuar “Kronikë në gur” të shkrimtarit Ismail Kadare, fitues i çmimit “International Man Booker Prize në vitin 2005, “Prince of Asturia” dhe shumë çmime të tjerë prestigjiozë për letërsinë.
Gazeta “The Independent” ku ju punoni, ka shkruar kështu për Kadarenë “…ai ka qenë kandidat për çmimin Nobël 15 herë. Është krahasuar me Gogolin, Kafkën dhe Oruellin, por është një zë origjinal, universal me rrënjët në tokën e tij”
…Ju ftojmë të vini përsëri dhe të qëndroni më gjatë që të përjetoni çfarë Gjirokastra ka për të ofruar. Nëse qëndroni më gjatë do të zbuloni që afër Gjirokastrës ka shumë gjëra për të pare, si psh: parku arkeologjik i Antigonesë, Kisha e Labovës së Kryqit, qyteti i Përmetit ku mund të shijoni glikotë e mrekullueshme dhe të bëni rafting në lumin më të egër në Europë, apo Tepelena vendlindja e Ali Pashës, me mrekulli natyrore përreth. Nuk do të pendoheni për asnjë minutë të qëndrimit këtu.