manxurane

Manxurana, lulja tipike e shtëpive gjirokastrite

Gjirokastra, qyteti i metaforave të pafundme, nuk është vetëm: qytet i gurit, i UNESCO-s, i Argjirosë, i kalasë, i muzeumeve, i sokakëve të të mënçurve dhe “të marrëve”, i odave, sofave, avlive, i barbarozës, por njihet edhe si “qyteti i manxuranës”. Nuk ka shtëpi gjirokastrite që të mos e mbjellë lulen e manxuranës në poçe e vazo prej qeramike dhe që e vendos në çdo dritare të banesave karakteristike. Shtëpia monumentale e Gjirokastritit, vështirë të kuptohen pa këtë lule aromatike.

“Bandillja që fshin odanë / Me një degë manxuranë”, janë vargjet e një kënge polifonike që këndohet në çdo festë dhe gëzim familjar në Gjirokastër. Në historitë e vjetra të gjirokastritëve dëgjon të thuhet: “Filan nikoqire, na bëri një kafe të gurit me manxuranë, që nuk e pije dot as në Stamboll, e as në Paris”.

Kjo lule me gjethe aromatike e pranishme në çdo avli, penxhere dhe ballkon të shtëpisë gjirokastrite, është më e preferuara e këtyre banorëve të rritur mes gurit, gjelbërimit dhe luleve. Aq shumë e preferuar është ajo, sa që gjirokastritët e marrin me vete në valiçe e “baule”, për ta patur gjithmon pranë. Për këtë arsye, manxurana ka shëtitur botën bashkë me adhuruesin e saj gjirokastrit. Nikoqiret bujare gjirokastrite, për vizitorët dhe miqtë e rrallë dhe më të nderuar, jo vetëm që i gostitin me kafe guri të mbajtur në “bohça” me gjethe manxurane, por mbi filxhaninë e kafesë të dekoruar me flori e lule, vendosnin një degës manxurane të freskët.

Manxurana është emri popullor i kësaj bime. Ndërsa emri shkencor i saj në gjuhën latine është “Origanum Majorana”. Sipas biologëve, ajo është një bimë aromatike barishtore shumëvjeçare që rritet në formë shkurrëze,e mbushur plot me degëzime. Gjethet janë të vogla e të mbuluara me një push të përhinjtë. Kultivohet në kopshte, por nga amvisat mbahet ne saksi si lule, njësoj si barbaroza dhe borziloku. Përdoren lastarët e njomë të gjethëzuara, ose gjethet e thara e të grimcuara. Vjelja bëhet duke i prerë në kohën e lulëzimit. Aroma është e këndshme, e ngjashme me të livandos, por pak më e lehtë. Përdoret nga amvisat edhe në kuzhinë për të marinuar dhe aromatizuar mishin e derrit, mishin e pulës, në gjellët me patate, në salcërat dhe supërat me barishte, sidomos në supën e peshkut.

Gjithmonë sipas ekspertëve, në gjethet e manxuranës gjenden lëndë vepruese dhe esenca, vajra aromatike, lëndë të hidhura etj, të cilat ndihmojnë për mjekimin dhe lehtësimin e gjendjes nga disa sëmundje si ato të aparatit tretës,dhe veçanërisht si qetësues i sistemit nervor nga streset dhe lodhja, përmirëson gjendjen e pagjumësisë e të migrenës. Çaji i manxuranës është aromatik dhe i shijshëm.

Kafeja e gurit kur bashkohet me aromën dhe shijen e veçantë të manxuranës, është padyshim një pije unikale, që vështirë ta shijosh gjetkë në botë, përveçse në shtëpinë e gjirokastritit dhe traditën e Gjirokastrës. Një bimë e dashur si manxurana, i jep qytetit të gurit një aromë dhe delikatesë tjetër, një joshje më shumë për të gjithë ata turistë dhe vizitorë që zgjedhin këtë qytet metaforik për të provuar shije dhe ndjesi unikale, që nuk i provojnë dot në asnjë cep të rruzullit.

About the Author

By visit-gjirokastra / Administrator, bbp_keymaster

Follow visit-gjirokastra
on Feb 28, 2020

Skip to toolbar