Description
Nga mali në det, ky është turi që nis nga Tepelena, vazhdon nëpër natyrën Nivicë dhe përfundon në Borsh. Turi Nivicë-Borsh do t’ju magjepsë pasi ju ofron një nga natyrat më të bukura të Shqipërisë, Nivicën si dhe bukurinë e bregdetit të Borshit.
Udhëtimi me makinë nis nga Tepelena dhe ndalesa e parë do të jetë “Ujësjellësi i Ali Pashë” në Bënçë, i cili është ndërtuar rreth 100 vite më parë. Do të vazhdojmë rrugën përgjatë lumit të Bënçës dhe do të shijojmë natyrën e fantastike të luginës dhe maleve që e rrethojnë.
Ndalesa e dytë do të jetë tek Kullat e Lerës, të cilat mbajnë emrin e vizitorëve të parë. Gjatë pushimit të shkurtër sa për të bërë foto, do të keni mundësi të shihni kanionet e Lekdushkut dhe Progonatit.
Ndalesa e tretë do të jetë në Progonat ku do të vizitojmë Ujëvarën e Peshturës, e cila është e mbrojtur si Monument Natyror.
Ndalesa e katërt do të jetë në Nivicë, ku do të vizitojmë: kanionet e Nivicës, kalanë, urën, minierën e vjetër, ujëvarën e Nivicës etj.
Akomodimi do të bëhet në bujtinën e quajtur “Bujtina mbi Kanion”, ku do të konsumohet edhe darka me gatime tradicionale të zonës.
Në këtë bujtinë do ta ndjeni veten te relaksuar në mes të natyrës.
Dita e dytë nis me udhëtimin në Kuç dhe për të mbërritur në bregdetin e bukur të Borshit. Pas gjithë rrugës nëpër male më në fund do t’ju shfaqet horizonti blu i detit të Borshit.
Do të vizitojmë Kalanë e Porto Palermos, një ndër më të bukurat të ndërtuara nga Ali Pasha. Do të kridhemi në ujërat e detit Jon dhe do të marrim rreze dielli.
Në kthim do të ndalojmë për të ngrënë në vendin e njohur si “Ujëvara e Borshit” dhe me makinë do të përshkojmë të njëjtin intinerar që ndoqëm për të ardhur.