Visit GJirokastra

Rituali i Sulltan Novruzit, dëshmi e bashkëjetesës fetare të shqiptarëve

Festa e Sulltan Novruzit festohet një javë mbas festës së Ditës së Verës, 22 – 25 mars. Ajo festohet për nder të lindjes së Profetit Imam Ali. Por, për shqiptarët i ka rrënjët nga koha e besimeve Pagane. Prandaj në Shqipërinë multifetare në të njëjtën kohë festohen pak a shumë në të njëjtën kohë “Vangjelizmoi”, 25 mars nga popullsia orthodokse, Sulltan Novruzi, 22 mars nga muslimanët dhe bektashinjt, “Dita e Zojës” në 25 mars nga katolikët.Data 22 Marsi është dita e ekuinoksit pranveror të Diellit. Dita dhe nata bëhen njëlloj. Kjo festë simbolizon ardhjen e pranverës.

Ritet tradicionale

Bektashinjtë njohin vetëm dy stinë Pranverën dhe Dimrin. Festimet e Novruzit zgjasin tri ditë. Sipas ritualit gratë e nuset e shtëpisë hapin dyert e dritaret. Mbushin shtamat me ujë dhe derdhin ujë me bollëk në pragjet e shtëpisë, për të larguar të ligën nga shtëpitë e tyre dhe për tí gjetur mbarë e pastër stina e re. Qysh herët në mëngjes nuseve të reja e fëmijëve u jepet një gotë qumësht, që simbolizon lindjen e një dite të re, shëndet e sa më shumë qumësht gjiri për nuset që do të lindin fëmijë. Quhet e Zotit kur në këtë ditë zonja e shtëpisë shpërndan qumësht, i cili kuptohet si bardhësi e bollëk edhe për të varfërit e të vobektit, ose në fshatë bëhen edhe kuleç me petë dhe fëmijët i rrokullisin në arat me grurë për të sjellë bollëk.
Festa e Sulltan Novruzit simbolizon “shpëtimin e njerëzisë, nga dimri i acartë dhe varfëria”, sepse vjen “stina e bollëkut”. Ardhja e pranverës i jep jetë, ushqim, ngrohtësi, bereqet, dashuri e gëzim njërzve. Kjo ditë sjell shpresë për më shumë mbarësi. Në këtë ditë edhe hasmi po trokiti në derë të shtëpisë mirëpritet, predikonte Imam Aliu. Në këtë festë besimtarët shkëmbejnë vizita tek njëri-tjetri dhe më pas luten dhe falen për më shumë shëndet, mbarësi e bollëk.
Qysh në lashtësi shqiptarët në këtë ditë e kishin të ndaluar prerjen e bimësisë së njomë, drurëve, punimi i tokës, kjo sepse, sipas bestytnive mendohej se “toka në këtë periudhë është me barrë”. Këtë ritual të lashtë të shqiptarëve e dëshmon edhe albanologu austriak Johann Georg von Hahn, veprën e tij “Studime shqiptare”,
Në këtë ditë kryhen rite të ndryshme që kanë të bëjnë me yshtje. Fëmijët përzën gjarpërinjtë nga oborret e kopshtet duke tringëlluar kambana, zile, teneqe, duke fishkëllyer nëpër ara apo kopshte, por edhe duke kënduar këngë yshtjeje. Pas këngëve gratë e shtëpive u japin fëmijëve vezë të ziera, arra, bukë me grurë etj. Gatimet dhe ushqimet karakteristike për këtë ditë janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh. Bimët simbolizojnë 12 imamët, 12 muajt e vitit dhe jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë për vitin e ardhshëm. Brenda byrekut futet një monedhë. Ai që gjen monedhën thuhet se është me fat. Këtë ditë bëhen kurbane që ndahet në 3, 7 ose 12 nishane që përbëjnë numrat profetikë. Me gjakun e kurbanit ngjyhet balli dhe pëllëmba e djathtë për t’u mbrojtur nga “syri i keq”. Gatuhet përsheshi me pulë ose mish qëngji, qingji i pjekur. Hashurja dhe syltiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite. Kjo ëmbëlsirë përbëhet nga qumshti, që është simbol i qumshtit të nënës, orizi që sibolizon drithrat, bollëkun. Këtë ditë merret edhe pak sherbet i kënduar në teqe dhe u jepet nga një lugë pjestarëve të familjes, miq e të ftuar në shtëpi atë ditë. Kjo me besimin se çdo kujt i dëshirohet mbarësi. Në disa raste për këtë festë gatuhet edhe kabuni që bëhet me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra.
Sulltan Nevruzi bënë thirrje për t’u ngritur mbi vesin e ligësinë. Bekstashianët në këtë ditë përciellin mesazhin për vlerësimin dhe mbrojtjen e vlerës së atdhedashurisë, dashurinë për njeri-tjetrin, urtësinë, vëllazërimin mbarëkombëtar, tolerancën fetare dhe ndërfetare.
Studiuesi austriak Johann Georg von Hahn, ishkonsull i Austrisë në Janinë gjatë tre udhëtime në Shqipëri mblodhi të dhëna për historinë, filologjinë, ritet dhe folklorin shqiptar. Në veprën e tij madhore në tri vëllime “Studime shqiptare” (1854), argumenton autoktoninë e shqiptarëve, prejardhjen ilire të shqiptarëve e prejardhjen e shqipes nga ilirishtja nëpërmjet riteve dhe këngëve dhe zakoneve pagane të transmetuara brez pas brezi. Hahn mësoi gjuhën shqipe dhe dëshmoi përkatësin si gjuhë e familjes indoevropjane. Teza e tij, u shfrytëzua me efikasitet nga ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, për vetëdijen kombëtare të popullit. Pikërisht në këta elemëntë të riteve dhe bestytnive të lashta, Hahn gjen bazën e bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri
Teza “pellazgjike” e prejardhjes së popullit shqiptar e shtruar nga Hani hulumtohet edhe më tej nga studiuesit e tjerë të histories. Pra, ashtu si Novruzi, Vangjelizmoi, Pashkët, Llazorët dhe festat e tjera fetare ndër shqiptarët, festohen bashkarisht dhe kjo është themeli i bashkëjetesës fetare në Shqipëri. Për shqiptarët ka rëndësi që njerzit të kenë mundësitë që të ndajnë bashkarisht si gëzimin dhe nevojë e atij që kërkon ndihmë.
Situata e vetëizolimit për shkak të koronavirusit, është një rast për të deshmuar dhe manifestuar vlerat e bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri, duke festuar familjarisht në respekt të jetës dhe humanizmit.

Engjëll Serjani

About the Author

By visit-gjirokastra / Administrator, bbp_keymaster

Follow visit-gjirokastra
on Mar 22, 2020

Skip to toolbar