Kalaja e Leklit

(Mesatarja 0 nga 0 Vlerësime )
  • place-img
place-img

Kalaja e Leklit ngrihet mbi kodrën e quajtur Shën Mëhill në shpatin perëndimor të malit të Golikut. Sipërfaqja e kodrës është shumë shkëmbore, ka një tendencë të theksuar prej lindjes në perëndim. Nga ky pozicion, Lekli kontrollonte ngushticat që lidhin Ilirinë me Epirin, të njohura në Antikitet me emrin ngushticat e Antigonesë. Për nga rëndësia e tyre ato përmenden shpesh në luftërat e fundit të shek. III dhe gjatë shek. II p.e.sonë. Lekli me pozicionin e tij natyral ka patur të tëra kushtet, si taktike ashtu dhe strategjike, për komandimin e hyrjes veriore në luginën e Drinosit. Rrënojat antike patën tërhequr vëmendjen e udhëtarëve dhe studiuesve të huaj që në shekullin e XIX dhe midis tyre: Ë.M. Leake, F. Pouqueville dhe E. Isambert, të cilët kanë lënë disa shënime të shkurtra. Në shekullin XX e vizitojnë një numër i madh udhëtarësh: studiues si Hamondi dhe Ugolini. Menjëherë pas krijimit të Muzeut Arkeologjik të Tiranës në vitin 1948, kalaja e Leklit filloi të tërhiqte vëmendjen e arkeologëve shqiptarë, të cilët e në këto rrënoja kërkonin qytetin e Antigonesë, të cilat vazhduan deri në momentin e identifikimit
të saj nga Dh. Budina në Kodrën e Jermës në Saraqinisht, mbështetur në 14 teserat prej bronzi, që mbajnë emrin “Antigoneon”. Nga ky moment kalaja e Leklit dalëngadalë u la në harresë. Kalaja e Leklit mendohet se i ka fillesat në shek. IV p.e.sonë. Muri rrethues nuk të jep përshtypjen se mundet të ketë qenë ndonjë fortifikim i mbyllur. Ai ndjek linja të drejta të ndërtuara ndërmjet shkëmbinjve, apo të mbështetur mbi platformat shkëmbore të rrafshuara për këtë qëllim. Skajet e murit lidhen mirë në shkëmbin natyral, të cilat, herë shkëmbi herë blloku, futen si pykë te njëri –tjetri. Akoma nuk është realizuar një konturim i saktë i linjës së mureve. Muratura është ndërtuar në dy në dy periudha, ku dallohen dy teknika ndërtimi: mure poligonale dhe paralelpipedi me trashësi 3,20 m. Blloqet e gureve kanë përmasa të ndryshme, ata poligonalë variojnë nga 0.45 x 0,4 m. deri në 1.20 x 0.50 m. ndërsa blloqet drejtkëndorë kanë përmasa thuajse të njëjta 1.25 x 0.50 x 0.30 m. Teknika e parë, poligonale, haset vetëm në hapësirën e krijuar midis dy shkëmbinjve të lartë e të çrregullt në të majtë të hyrjes, ndërsa stili i dytë, drejtkëndësh izodomik me faqe të rrafshta, haset në tërë vendet e tjerë. Ajo që vihej re në fortifikimin e Leklit ishte edhe përdorimi blloqeve transversal. Këta blloqe kanë largësi të barabartë 2.7 –3 m.
Vendbanimi i lashtë ilir i Leklit, sipas studiuesve të arkeologjisë daton në shek. VI-V p.e.r. Por për të shkuar deri tek rënojat e kalasë dhe vendbanimit të lashtë, nuk ka asnjë sinjalistikë orjentuese për vizitorët. Interesi për të vizituar Leklin nuk janë vetëm rrënojat ilire, historia këtu ruan shumë “xhevahire” të tjera me interes. Lekli është vendlindja e Thanas Vajës, këshilltari më besnik i Ali Pashë Tepelenës. Këtu kanë lindur rilindasit Anastas Byku dhe Jani e Kristaq Vaja. Në krye të fshatit ndodhet shtëpia e Mësuesit të Popullit Thoma (Çuçi) Papapano, ish-deputet në periudhën e monarkisë. Th.Papapano në 1913 ishte i dërguari i qeverisë së I.Qemalit në Europë për mbrojtjen e kufinjve jugor të Shqipërisë. Ai ishte mësuesi i të parës shkollë shqipe në Gjirokastër, themelues dhe drejtues i shoqërive “Drita” dhe “Vëllazëria”. Në brendësi të fshatit ruhen ende disa dhjetra objekte të periudhës së Mesjetës, banesa, kroje, sterra, kisha dhe objekte të tjera. Lekli ndodhet përballë Parkut Kombëtar Natyror të Ujit të Ftohtë të Tepelenës. Banesat e Leklit dallohen lehtë nga udhëtari në të djathtë të rrjedhës së Drinos. Zona përreth fshatit është e pasur në burime ujrash, bimë medicinal, pyje, kullota dhe pejsazh natyror të papërsëritshëm.

Harta e Kalaja e Leklit

Skip to toolbar