Gjirokastra si destinacion i qëndrueshëm- mundësitë dhe sfidat

A mund të jetë Gjirokastra një model i një destinacioni të qëndrueshëm të turizmit? Kjo ishte tema e një webinari të organizuar nga shoqata Visit Gjirokastra, me mbështetjen e RisiAlbania. Qëllimi i webinarit ishte të prezantonte për herë të parë për bizneset turistike të këtij qarku, kriteret e Këshillit Global të Qëndrueshëm të Turizmit – GSTC, si dhe duke analizuar se si mund të zbatohen këto standarde në destinacionet shqiptare, dhe tek industria e turizmit, tur operatorët dhe hotelet. Në webinar morën pjesë, anëtarët e Shoqatës Visit Gjirokastrës (VGA), përfaqësues të Bashkive Gjirokastër dhe Përmet, përfaqësues të Risi Albania, nga universitetet, guidaturistike dhe ekspertë të turizmit.

Përmes mbështetjes së Risi Albania, dy anëtarë të VGA, znj Hevjola Sherifi dhe znj Eva Kushova u trajnuan në shkurt të këtij viti, në Zvicër nga Këshilli Global i Qëndrueshëm i Turizmit (GSTC) dhe morën dhe certifikatat si ekspertë të turizmit të qëndrueshëm. Pikërisht këta dy ekspertë bënë dhe prezantimin e parimeve të GSTC dhe mundësitë për Gjirokastrën që të shndërrohet në një destinacion të turizmit të qëndrueshëm, për tua përcjellë këto njohur anëtarëve të tjerë të shoqatës dhe gjithë grupeve të interesit.

Pse Gjirokastra?

Gjirokastra ka krijuar tashmë një organizatë me karakter publik-privat për turizmin në rajon me qëllim të menaxhimit të Qarku të Gjirokastrës si destinacion i turizmit. Kjo organizatë ka përfshirë biznese turistike të qarkut, si dhe 7 bashki: Gjirokastër, Permet, Tepelenë, Libohovë, Dropull, Këlcyrë e Memaliaj. Aktualisht shoqata VGA ka identifikuar atraksionet turistike në rajon, listën e monumenteve kulturore, parqeve arkeologjike dhe parqeve të mbrojtura natyrore, listën e trashëgimisë jo-materiale, traditat, muzikën, kostumet, kuzhinës aktualisht po promovon rajonin përmes portalit të turizmit www.visit-gjirokastra.com.

Kjo shoqatë ka bërë një punë të madhe për të promovuar të gjithë destinacionin, ku fokus kryesor ka qene deri me sot marketimi i destinacionit. Por tani për shkak të situatës së Covid19 dhe mungesës së turistëve, ky është momenti i duhur për të menduar se si të menaxhohet ky destinacion, dhe jo thjesht të promovohet, si t’i qaseni parimeve të turizmit të qëndrueshëm dhe si të informojmë në kohë të gjithë anëtarët e rinj që të mund të fillojnë me hapa të vegjël për të menduar për ruajtjen e destinacionit, për ruajtjen e natyrës, kulturës dhe traditës, dhe si të menaxhojnë mbetjet dhe të përdorin burime të energjisë së rinovueshme.

Avantazhet dhe sfidat e Gjirokastrës

Gjirokastra ka disa avantazhe pse ky destinacion mund të jetë një model për të filluar zbatimin e kritereve të turizmit të qëndrueshëm. Së pari është një qytet i UNESCO-s, ka një status të mbrojtur, situata e të cilit monitorohet dhe raportohet çdo vit. Së dyti, ndodhet dhe rrethohet nga male, ka parqe të mbrojtur dhe lumenj, larg autostradave dhe aeroporteve. Nuk është një zonë e ndotur dhe nuk është një qytet industrial. Dhe së fundi, rajoni ka shoqatën me një strategji dhe vizion i cili tani është krijuar për të promovuar këtë destinacion dhe shpresojmë që të rrisë kapacitetet dhe anëtarësinë që edhe ta menaxhojë atë.

Sfida kryesore e Gjirokastrës drejt turizmit të qëndrueshëm është që VGA të zgjerojë anëtarësimin me të gjitha bizneset e turizmit në rajon, të ketë hotelet kryesore dhe operatorët turistikë si anëtarë, si dhe artizanët, fermerët. Shoqata duhet të ketë si vëzhgues përfaqësues të gjithë bashkive të qarkut, si dhe bashkëpunëtorë nga institucione të tilla si RAPA (agjensi rajonale për zonat e mbrojtura) ose Drejtori të tjera përgjegjëse për ruajtjen e monumenteve, përfaqësues të UNESCO-s dhe nga shoqëri civile. Sfida tjetër është të merren sa më shumë të dhëna për gjithë rajonin, në lidhje me numrin e bizneseve të turizmit, të ardhurat nga turizmi, punësimin direkt dhe indirekt, numrin e shtretërve, situatën e transportit, situatën e monumenteve dhe zonave të mbrojtura, situatën të ndotjes në rajon etj. Nuk mund të menaxhohet një destinacion nëse nuk ka matje e statistika. Prandaj, duhet të mblidhen të gjitha statistikat e nevojshme për rajonin në mënyrë që të fillojnë dhe të vendosin disa objektiva për destinacionin, për anëtarët e shoqatës, si dhe komunat.

Pjesëmarrësit u përfshinë në mënyrë aktive dhe bënë pyetje konkrete në lidhje me të ardhmen e vetë shoqatës dhe sesi parimet e qëndrueshme do të zbatohen në praktikë dhe përqafohen nga bizneset. Gjirokastra dhe vetë shoqata Visit Gjirokastra kanë një rrugë të gjatë për të bërë që ky rajon të kthehet në një destinacion me të vërtetë të turizmit  të qëndrueshëm dhe anëtarët e bordit të VGA janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë.

Ndiqni linkun e webinarit: shorturl.at/bkQX2

About the Author

By visit-gjirokastra / Administrator, bbp_keymaster

Follow visit-gjirokastra
on Jul 15, 2020

Skip to toolbar