Hotel Sopotit

Të flesh në “krevatin e perandorit” në Gjirokastër

Mauro Mauri, është një “italiano vero” që është dashuruar marrëzisht me qytetin e Gjirokastrës.
Profesioni i tij është gazetar kulturor dhe ekspert për shkrimin e guidave turistike. Mauro është nga Briancia, një qytet i rajonit të Lombardisë në veri të Italisë. Ajo që të bën përshtypje është se Mauro sa vjen në Gjirokastër, fle gjithnjë në të njëjtin hotel, në hotel “Sopoti”. Një nga godinat më hijerënda që qarkojnë Sheshin e Çerçizit. Hotel “Sopoti”, dikur nga më luksozët në Shqipëri, me një arkitekturë nga më modernet në kohën e shkëlqimit të tij, por aktualisht është në një gjendje të mjerueshme. Pasi ripërfituan pronësinë, pronarët e këtij hotelit, Hajdëratët nuk kanë investuar, por e kanë nxjerrë hotelin në shitje. Për këto arsye, fjetja në këtë hotel kushton shumë lirë, vetëm 8.50 euro, ose 1000 lekë. I pyetur nga Visit Gjirokastra se përse fle në këtë hotel, kur në Gjirokastër ka plot hotele dinjitoze, ai u përgjigj se ka shumë lidhje të forta me këtë hotel dhe me dhomën ku ai fle. Mauro shpjegoi se është një nip i largët i ish-mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit të III-të. Ish-mbreti, “ish-perandor” i Italisë, Abisinisë dhe Shqipërisë, vetë Viktor Emanueli i III-të, gjatë vizitës së tij zyrtare në vitin 1940 në Shqipëri, kishte fjetur në një nga dhomat e këtij hoteli që në atë kohë mbante emrin Hotel “Royal“. Mandej mbas këtij momenti “historik”, për nder të “perandorit” hotelit i ndryshon edhe emir, në Hotel  “Impero” Viktor Emanueli III, (1869-1947) ishte monark i Italisë në vitet 1900-1946, që asokohe njihej edhe si sovran i kurorëzuar edhe me kurorën e mbretërisë shqiptare, duhet të ketë qëndruar në Gjirokastër para datës 14 maj 1941. Pra, para se të kryhej kundër tij atentatit i të riut nga Piqerasi Vasil Laçi. Megjithë orvatjet e tij për të ruajtur regjimin monarkik, në vitin 1946 populli italian vendosi të shpallte republikën, ndërsa familja Savoja kaloi në mëgrim dhe vetë ish-mbreti vdiq i mërguar në Aleksandri të Egjiptit. Hotel “Royal” ku ka fjetur Viktor Emanueli i III-të, pronë e familjes gjirokastrite të Hajderajve, është ndërtuar në disa faza dhe për disa vite rrjesht.
Forma përfundimtare, me pak ndryshime në mjediset e brendëshme, është ajo që kanë edhe sot dhomat ku flen për nortalgji pasardhësi i tij, Mauro. Ky objekt, dikur përfaqesonte hotelin më luksoz për kohën në qendrën historike të Gjirokastrës. Këtu, përveç dhomave të gjumit, kishte edhe një restorant e bar, tepër modern për kohën. Klasi i këtij hoteli, sipas të thënave të gjirokastritëve, duket më së pari tek personalitetet që e kanë preferuar për të fjetur në dhomat e tij. Mes personaliteteve që kanë fjetur, gjirokastritët kujtojnë: ish-Mbretin e Italisë Viktor Emanuelin e III-të, ish-liderin komunist bullgar Gjergj Dimitrov, Myfit Bej Libohovën, motrat e Mbretit Zog, delegacione të huaja të ftuara nga ish-Mbreti Zog dhe Enver Hoxha, ushtarakë të lartë në vitet e pushtimit fashist, tregëtarë, politikanë, diplomatë e shumë protagonist të tjerë të kohëve të ndryshme. Fati i këtij hoteli nuk dihet, por falenderojmë Mauron që na mëson se turizmi historik është një mundësi që duhet zhvilluar në Gjirokastër.

Engjell Serjani/VisitGjirokastra

About the Author

By visit-gjirokastra / Administrator, bbp_keymaster

Follow visit-gjirokastra
on Nov 20, 2019

Skip to toolbar