fbpx
Falco are back in Gjirokastra, Albania

Rikthehet Skifteri i Verdhë në Gjirokastër

Rikthehet Skifteri i Verdhë

Një shfaqje spektakolare sapo ka nisur këtë vit në jug të vendit, aty ku ndodhen shumica e fjetoreve të Skifterit kthetraverdhë (Falco naumanni).

80-100 individët e parë të mrekullueshëm u vrojtuan sikurse pritej javën e shkuar, në linjat e tensionit të mesëm në Lushnje, Fier, Vlorë, Tepelenë dhe Dropull. Vrojtimet e kryera vitet e fundit konfirmojnë se Skifteri kthetraverdhë formon të paktën gjashtë fjetore të shpërndara kryesisht në jug të vendit sikundër tregohet në hartën bashkëngjitur.

Shqipëria strehon çdo vit, në muajt Korrik-Shtator, rreth 10 % të popullatës globale të këtij lloji, fakt që e bën Shqipërinë tepër të rëndësishme për mbijetesën dhe mbrojtjen globale të kësaj specieje.

Skifterët kthetraverdhë kryejnë lëvizje pas folezimit ose ndryshe para-shtegtuese, pikërisht përpara se të ndërmarrin shtegtimin e “vërtetë” vjeshtor drejt Afrikës. Artikujt shkencorë të viteve të fundit vërtetojnë se e gjithë kjo sasi prej 6000-7000 individësh vijnë nga popullatat folezuese të Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Italisë, Bullgarisë etj.

Në vendin tonë, ata ndalojnë për rreth dy muaj nëpër lugina apo fusha ku prania e insekteve është e mjaft e lartë. Kjo ndalesë u shërben si një furnizim energjitik i fundit përpara rrugëtimit të vështirë prej afro 3000-4000 km drejt Afrikës ku kalojnë edhe dimrin. Njëkohësisht, qëndrimi nëpër fusha ështe shërbim i fundit i ofruar pa pagesë për fermerët, duke i ndihmuar në reduktimin e një sasie të konsiderueshme insektesh që ushqehen në të mbjella.

AOS monitoron që prej disa vitesh fjetoret më të mëdha të Skifterit kthetraverdhë në vend, punë që përputhet me monitorimin edhe të shpendëve të tjerë të rrallë, të rrezikuar apo me interes global për mbrojtjen e natyrës.

About the Author

By visit-gjirokastra / Administrator, bbp_keymaster

Follow visit-gjirokastra
on Aug 05, 2019