fbpx
Gjirokastra

Rituali i lashtë të shtegëtimit të bagëtive në Gjirokastër

Nëse udhëtoni këto ditë në rrjetin jugor të rajonit jugor, mos u çudisni aspak nëse hasni kope të shumta me dele dhe dhi, barinj me mushka të ngarkuara dhe një tufë qensh stani që shoqërojnë këtë karvan. Shijojeni këtë moment. Barinjtë janë duke shtegëtuar nga kullotat verore në male, në drejtim të kullotave dimërore në bregdetin e ngrohtë.

Turistë dhe udhëtarë: Shijoni ritin e lashtë të shtegëtimin e bagëtive  “O, sa bukuri ka tufa…” këndonte poeti ynë Kombtar Naim Frashëri. Banorët e Jugut vazhdojnë të ruajnë të njëjtën traditë të lashtë të rritjes së bagëtive të imëta.

“Gjëja e gjallë të mban gjallë!” – na thotë bariu Maliq Isufaj nga fshati Gorricë i Përmetit që na prêt rruhën me kopenë e tij në kthesat midis Lekdushit dhe Bënçës. Në ballë të një tufe me dhi të racës së vendit ai sëbashku me 4 barinj të tjerë, po shtegëtonin drejt kullotave dimërore në Borsh të Sarandës. “Udhëtimi zgjat 5 ditë. Udhëtojmë ditën dhe pushojmë natën. Shtegëtojmë dy herë në vit. Në fund të vjeshtës në fillim të dimrit. Shtegëtojmë nga Buali për në kullotat dimërore në bregdet. Në pranverë, në prill-maj shtegëtojmë nga bregdeti për në kullotat verore në malin e Dhëmbelit”, tregon bariu.  Çobani këndon një monofoni të lehtë: “Mos na shko përpara stanit, se të ha qen’ i çobanit”!

Rajoni i Gjirokastrës gjithnjë ka qenë në zonë e  përshtatshme për rritjen e bagëtive të imëta për dy: kullota e pasur alpine dhe uji në sasi të bollshme.

Vetë ngjitja e bagëtive në mal është ngjarje e gëzuar për blegtorët dhe ky gëzim përshkon gradualisht të gjithë pjesëtarët e familjes. Gjithçka pasqyrohej në të gjitha veprimet e tyre, si tek të rriturit, aq më tepër tek të vegjlit, të cilët u gëzohen shqerrave dhe kecave me blegërimat e kërcimet e tyre plot gjallëri, për të cilët na ka shkruar aq ëmbël Naimi.

Personi që merrej me ruajtjen e tufave, të dhive dhe të dhenve, pëlleja, shterpa, apo të përziera quhej thjesht çoban ose bari. Dera e stanit është gjithmonë e hapur për mikun dhe udhëtarin. Në stan sipas riteve qysh në kohët më të lashta, të ruajtura deri sot theret dhe piqet në hell një qengj apo kec. Sigurisht, për të nderuar mikun, jo për të ngopur atë me mish. Miku do të hajë një “hise” nga pjesa e mishit, pjesën tjetër do ta hanë vetë barinjtë. Miku është i kënaqur kur kupton se i zoti i familjes pritëse, i ka therrur mish për ta nderuar atë.

Mishi i pjekur në hell ka 5 nishane, të cilat janë: koka, shpatulla, kofsha, veshkat dhe bishti. Për të nderuar miqtë në zona të ndryshme përdoren pjesë të ndryshme, p.sh. në Labëri mikut kryesor e më të rëndësishëm i vihet përpara bishti, ndërsa në Shqipërinë e Mesme dhe në Veri i vendoset koka. Por në “hise” vendoseshin edhe thela të tjera dhe në këto rastë përdoret shprehja baritore  “Thelë përmbi bisht”.

Tufat e mëdha shtegëtojnë çdo vit në kullotat verore dhe dimërore, që në gjuhën e barinjve quhen “merá”. Koha e nisjes për shtegëtim përcaktohet kur kullota mbarohej dhe moti fillonte të ftohej në dimër dhe kur ngrohej moti në pranverë.

Nisja e bagëtive nga fshati për në merá dhe anasjelltas kthimi, shoqërohet me një ceremoni të veçantë. Barinjtë bënin ndonjë darkë para nisjes, ku ftonin persona të ndryshëm, të afërt, shokë a miq, me të cilët kalonin kohën kur ishin në merá. Bagëtitë që kishin pjellë herët, kishin qumësht në sasi të mjaftueshme. Barinjtë i milnin dhe këtë qumësht mund t’ua dhuronin edhe familjeve që ishin në afërsi. Me qëllimin që të shkonte bagëtia mbarë dhe të shtohej, mund të dhuronin ndonjë kec a sheleg në familje që kishin gjendje të dobët ekonomike.

Nisja dhe kthimi nga merája sillte shumë gëzim si për barinjtë, ashtu edhe për gjithë familjen. Ndonjë bari, në kalin kryesor hipte qingjin e lindur rrugës (kërthinj) apo ndonjë që ishte dëmtuar e nuk ecte dot. Pajimet vendosur mbi samar të kuajve dhe mushave, dhe mbi samar vareshin copa plisash me bar të njomë. Qingjave më të rritur (meshkujve) u vareshin penjë me bojra të ndryshme dhe zbukurime të tjera. Barinjtë e vjetër prireshin më tepër nga disa ritual zbukurimi, si vendosha e këmborëve dhe zilëve, vendosja e fiangove në brirë të dashit, lyerja me bojë. Të moshuarit kanë aftësi që t’i jepnin një paraqitje të hijshme tufës në nisje e kthim.

Engjëll SERJANI

About the Author

By visit-gjirokastra / Administrator, bbp_keymaster

Follow visit-gjirokastra
on Dec 02, 2019