Gjirokastra është një thesar i Shqipërisë, dhe një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s, për shkak të vlerave të saj të jashtëzakonshme historike dhe kulturore. Si qytetet e tjera evropiane, evolucioni i Gjirokastrës filloi që në antikitet dhe vazhdoi gjatë Mesjetës dhe Rilindjes Evropiane. Ajo që e bën unike historinë e Gjirokastrës është pozicioni i saj në Luginën e Drinos, e cila ka qenë djep i shumë civilizimeve në kohët e hershme. Gërmimet tregojnë se Lugina e Drinos ka qenë e banuar që nga shekulli III p.e.s, si dhe shumë vendbanime të tjera të njohura: Apollonia, Butrinti, Dyrahu, Korfuzi, Dodona dhe Bylisi. Gjirokastra, së bashku me 15 vendbanime të tjera të vogla, kontrollohej nga Antigonea në periudhën para Krishtit, dhe  më pas nga Hadrianopolis pas Krishtit. Antigonea, pak km në lindje të Gjirokastrës, u themelua nga Pirro i Epirit në 297, dhe shërbeu si qendra e këtij civilizimi. Antigonea u dogj më pak se 2 shekuj më vonë. Pas kësaj, u zhvillua si qyteterim Hadrianopolis i cili shërbeu si qendër e luginës për 150 vjet, derisa u shkatërrua nga përmbytjet e lumit Drinos. Pasi u shkatërrua edhe Hadrianopolis, njerëzit filluan të lëvizin në territore më të larta për t’u ndjerë më të sigurt nga përmbytjet. Dëshmitë më të hershme arkeologjike të gjetura në Gjirokastër (disa fragmente muri të gjetura brenda Kalasë) datojnë në shekullin V pas Krishtit, në fundin e Perandorisë Romake. Një zbulim tjetër, një altar guri që përshkruan katër pëllumbat dhe disa gjethe eukalipti, daton në shekullin e 10-të, një kohë kur u vendosën principatat  shqiptare në zonë për shkak të pozicionit të saj strategjik në rrugët që të çonin në Onhezmi (Sarandë), Butrint, Janinë, dhe Nikopoli. Altari u gjet në kodrën ku tani ndodhet Obelisku. Dokumentet historike tregojnë se qyteti i Gjirokastrës ishte themeluar në fillim të shekullit të 13-të dhe banesat fillimisht u ndërtuan brenda mureve të Kalasë. Në fund të shekullit shtëpitë filluan të shfaqeshin përtej fortifikimeve të Kalasë. Kronikat bizantine tregojnë se më 1336 Gjirokastra quhej Argyropolihne (qyteti Argyro) dhe ishte nën kontrollin e Princit Gjin Zenebishi. Ai vdiq pa u dorëzuar te turqit, por në 1432 Gjirokastra ra nën sundimin turk. Kronikat turke të vitit 1583 tregojnë se Gjirokastra ishte një sanxhak (një njësi administrative e Perandorisë Osmane) dhe krenohej me 434 ndërtesa. Më 1672 kronisti turk Evliya Celebi vizitoi Gjirokastrën dhe përshkrimi i tij realist konsiderohet dokumentacioni më i mirë i evolucionit të qytetit historik. Celebi përshkruan gjithçka ashtu siç është sot, lagjet e Pazarit të Vjetër, Varosh, Teqe, Mecite, Hazmurat, Cfake, Manalat dhe Dunavat, etj. Dokumentet tregojnë se në fund të shekullit të 17-të Gjirokastra ishte pothuajse në madhësinë që është tani. Sot qendra historike mbulon një sipërfaqe prej 1.2 km katrorë, përfshirë kalanë dhe strukturat e ndërtuara deri në shekullin XIX. Zona e mbrojtur si një vend i trashëgimisë së UNESCO-s përfshin 1400 ndërtesa.

Origjina e Emrit Gjirokastra
Gjirokastra gjatë pushtimit otoman
Si u bë Gjirokastra pasuri UNESCO?
Gjirokastra Folklore Festival
Iso polifonia, pasuri e UNESCO
Skip to toolbar