fbpx

Banorët e Gjirokastrës përshkruhen pak dorështrënguar dhe kurnacë. Kjo tashmë është përkthyer në mjaft barsaleta dhe histori që tregohen me gjirokastritët. Sidoqoftë dhe ata vetë qeshin me këto shaka dhe i marrin me sportivitet. Në fakt ata kursejnë para për ditë më të vështira, fokusohen te familja e tyre dhe jo te shpenzimet e kota dhe investojnë më shumë në shtëpitë e tyre. Pra kjo do të thotë se në kohë të vështira ata janë të përgatitur, pra janë të zgjuar. Jo më kot statistikat e INSTAT nxjerrin se Gjirokastritët janë dhe njërëzit më të pasur në raport me të ardhurat për frymë. 

Megjithatë steriotipe ka dhe për banorët e tjerë të rajonit. Psh për tepelenasit thonë se janë kokëfortë, ndërsa përmetarët njerëz të urtë e punëtorë. 

Sidoqoftë mikpritja është karakteristikë e gjithë shqiptarëve. Nëse ju jeni mik në çdo shtëpi në Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, apo kudo në rajon, patjetër do ju ofrohet raki, verë, dhallë, fruta dhe gjithcka që ata kanë. 

Ushqimi

Gjirokastra është e famshme për ushqimin e saj. Gatimet e shijshme gjirokastritë janë të kombinuara me shumë përbërës organikë që i japin një shije të vecantë. Kuzhina ka origjinë të dukshme otomane, por padiskutim teknikat, erëzat, salcrat janë tipike shqiptare, dhe kjo e bën gatimin unik dhe tradicional shqiptar. Disa nga gatimet e gjirokastritëve janë pashaqoftë, që është supë me qoftë, qifqi, që janë qoftë të gatuara me oriz dhe erëza në një tigan special, shapkat një përzierje me miell misri dhe barishte, sarma apo japakrak, gjethe rrushi që mbështjellin oriz, oshaf që është ëmbëlsirë me fiq, baklava turke e përgatitur në një mënyrë locale etj.

Djathi i Gjirokastrës është një tjetër produkt i rëndësishëm local. Njihet në gjithë shqipërinë dhe konsiderohet më i miri.