Atraksione arkeologjike & fetare në Gjirokastër
Manastiri i Ravenës, Dropull
Goranxi, DropullManastiri i Ravenës, i ndodhur 300 metra sipër fshatit Goranxi të Gjirokastrës, njihet për vlerat e rralla arkitekturore dhe kulturore. Manastiri i Ravenës i është kushtuar “Fjetjes së Hyjlindëses” . […]
Manastiri i Ravenës, i ndodhur 300 metra sipër fshatit Goranxi të Gjirokastrës, njihet për vlerat e rralla arkitekturore dhe kulturore. Manastiri i Ravenës i është kushtuar “Fjetjes së Hyjlindëses” . Kisha përbëhet nga naosi, narteksi dhe eksonarteksi. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë triapsidal dhe ka përmasa të brendshme 6.80×5.60 metra. Kisha është ndërtuar me gurë shtresorë të vendosur në mënyrë të rregullt. Tamburi i kishës është tetëfaqësh dhe i zbukuruar. Gjithashtu edhe korniza nën çati përbëhet me radhë në formë dhëmbësh të alternuara me radhë të drejta.
Kisha është ndërtuar në vitin 1600 prej hieromonakut Kristofor. Këtë e vërteton një mbishkrim i gdhendur në gur mbi portën perëndimore brenda narteksit: “Mbretëreshë e të gjithë profetëve, e quajtur fidanë e Joakimit dhe Anës shterpë, që u bëre e denjë të dëgjoje zërin e engjëllit që thoshte: gëzohu ti o e gëzuar prej gjithpushtetësit, vajzë, virgjëreshë dhe nënë, prano lutjen prej meje shërbëtorit tënd jeromonak Kristoforit, që ndërtoi tempullin tënd me dëshirë, viti i lindjes të Krishtit 1600”.
Apsida e kishës është pesëfaqëshe. Mbi apsidën e murit jugor brenda kishës gjendet mbishkrimi: “Lutje e shërbëtorit të perëndisë Hjokë Quriakut, nga katundi Mashkullorë”. Mbi një vulë prej druri është shkruar: “Vula e së mbishenjtës Hyjlindëse, e mbiquajtur e ravenias, mbi katundin Goranxi 1622”
Source: atsh