Parku arkeologjik i Antigonesë

Asim Zeneli, Albania
(Mesatarja 0 nga 0 Vlerësime )
  • place-img
  • place-img
  • place-img
  • place-img
  • place-img
  • place-img
  • place-img
  • place-img
place-imgplace-imgplace-imgplace-imgplace-imgplace-imgplace-imgplace-img

Antigonea është një nga qytetet antike më të mëdha të territorit të Shqipërisë dhe vendbanimi më i rëndësishëm antik i Luginës së Drinosit. Venbanimi brenda mureve fortifikuese të shek. III ka një sipërfaqe prej 45 ha, ndërsa territori i parkut arkeologjik është mbi 90 ha.
Mbi vendndodhjen e Antigonesë ka pasur hipoteza të ndryshme deri sa kërkimet arkeologjike të viteve ‘70 dhanë dëshmi të sigurta për këtë. Emrin qyteti e ka marrë nga Antigona, gruaja e parë e mbretit Pirro.
Qyteti fortifikohet me mure të fuqishme në fillim të shek. III para Krishtit, ndërsa nuk përjashtohet që në atë vend të ketë pasur një vendbanim më të hershëm të riemëruar më pas nga Pirro.
Qyteti dominonte Luginën e Drinosit, që ishte një zonë rurale e pasur dhe për të mbrojtur gjithë këtë territor kishte edhe fortesa të tjera periferike: fortesa e Leklit në veri, e Labovës në lindje dhe e Selosë në jug.
Perimetri i mureve fortifikuese mund të ndiqet i plotë dhe fillon të vërehet që në hyrje të parkut. Në të djathtë të hyrjes, në pjesën veriore të qytetit ndodhet kodra e quajtur “Akropoli”. Në të vërtetë Antigonea nuk ka pasur një akropol të mirwfilltw. Në pikën më të lartë të kodrës ndodhet kisha e Shën Mëhillit, e periudhës pasmesjetare.
Sipërfaqja brenda qytetit është e sheshtë dhe gërmimet intensive arkeologjike të viteve ’70 kanë nxjerrë në dritë një pjesë të mirë të sipërfaqes së banuar dhe të rrjetit rrugor të Antigonesë. Ashtu si pjesa më e madhe e qyteteve antike sistemi rrugor është i quajturi “hipodamik”, me rrugë paralele të barazlarguara veri-jug që kryqëzohen me rrugë paralele lindje-perëndim. Rrugët më të rëndësishme përfundojnë në portwn e qytetit. Rrugët veri-jug janë më të gjera e më të rëndësishme dhe të pajisura me trotuarë të gjerë. Në disa rrugë dallohen edhe kanalet e kullimit të ujrave të shiut. Rruga më e rëndësishme në qendër të zonës së gërmuar ka marrë emrin e arkeologut Dhimosten Budina që ka kryer gërmimet në këtë qendër.
Në kryqëzimin kryesor të zbuluar ndodhen rrënojat e një kishe mesjetare (shek. IX-X). Ajo është një kishë e vogël dhe është ndërtuar kur qyteti antik ishte shkatërruar dhe sistemi i vjetër urbanistik ishte zhdukur.
Rrugët kufizonin insulat ose blloqet e banimit. Një pjesë e banesave kanë dalë në dritë plotësisht nga gërmimet arkeologjike. Banesat janë të tipit “me peristil” ose me oborr të brendshëm me kolonada, përreth të cilit ndodheshin ambientet e banimit dhe të punës.
Duket se muret e banesave kanë qenë të ndërtuara me blloqe guri të gdhendur vetëm në pjesën e poshtme të tyre, ndërsa pjesa e sipërme ka qenë e ndërtuar ndoshta me tulla të papjekura (qerpiç). Kjo shpjegon edhe ruajtjen e mureve vetëm në pjesën e poshtme të tyre dhe mungesën e gurit të ndërtimit në shtresat arkeologjike të gërmuara.
Gjetjet arkeologjike në ambientet e punës (zejtarisë) kanë dhënë dëshmi për aktivitetet ekonomike që kryenin banorët e qytetit. Për këtë arsye disa banesa kanë marrë emra të përveçëm konvencionalë, si banesa e lëkurëpunuesit, banesa e tezgjahistes, apo banesa e karrocierit. Në këtë të fundit është zbuluar një rrotë qerreje prej hekuri, një gjetje arkeologjike mjaft e rrallë. Në gërmimet arkeologjike në Antigone kanë dalë në dritë mjaft objekte interesante, ndër të cilat spikasin ato prej bronzi. Figurina prej bronzi e sfinksit është ndoshta ajo më interesantja. Gjetje tjetër e rëndësishme janë teserat prej bronzi me emrin e qytetit të stampuar mbi to. Këto përdoreshin, sipas arkeologëve, nga qytetarët për votime. Gjetja e këtyre teserave ishte prova definitive që vërtetoi vendndodhjen e Antigonesë.
Në pjesën perëndimore të qytetit, në zonën që ka pamjen më të bukur mbi Luginën e Drinosit, ndodhet agoraja, qendra e qytetit. Agoraja, në anën veriore, është e kufizuar me një stoa (shëtitore) që është ndërtimi më i rëndësishëm publik brenda mureve të qytetit.
Jashtë murit rrethues, në shpatin e kodrës është një tjetër monument i dalë rishtaz nga gërmimet. Ai është i ndërtuar me blloqe guri të skuadruar dhe ka dy ambiente që komunikojnë me dy porta. Monumenti ka qenë i mbuluar me qemer po me blloqe. Për funksionin e kësaj ndërtese ka dy hipoteza mes të cilave qëndrojnë mendimet e arkeologëve. Ndërtesa mund të jetë varr monumental ose sternë (depozitë) uji. Kjo ndërtesë datohet mes shekujve III-II para Krishtit.
Jashtë mureve të qytetit, rreth 250 m larg portës jugore ndodhet një tjetër stoa. Kjo karakterizohet nga një mur fundor poligonal, i cili shërben edhe si mur terracimi.
Stoa është një nga monumentet e fundit të zbuluara në Antigone dhe daton në shek. III para Krishtit. Ajo ka një gjatësi rreth 70 m dhe ka pasur pilastra me blloqe guri në pjesën e përparme që mbanin çatinë. Ajo mund të jetë përdorur nga qyteti si treg ku fshatarët e zonës sillnin prodhimet e tyre.
Në fakt stoa është në vetvete pjesa më fundore e një muri të gjatë terracues që shkon deri në ekstremin më jugor të pjesës së fortifikuar.

Megjithëse Antigonea nuk përmendet në burimet historike si vendbanim në antikitetin e vonë (shek. IV-VI), të dhënat arkeologjike tregojnë se ajo ka vazhduar të ekzistojë edhe në këtë periudhë. Dëshmia më e mirë është zbulimi i një kishe të kësaj periudhe në Antigone. Kisha paleokristiane (shek. V-VI) ndodhet në pjesën më jugore të sipërfaqes së fortifikuar të qytetit. Kjo është një kishë e vogël, por unikale në territorin e Shqipërisë për nga forma e planimetrisë së saj. Është një kishë trikonkë me një nef dhe ka pasur edhe ambiente ndihmëse në anët e saj. Zona e altarit të kishës ka një dysheme me mozaik polikrom që ruhet ende mirë në vend. Mozaiku është i ndarë në tri pjesë dhe përmban disa mbishkrime dedikuese. Bordurat janë me motive gjeometrike. Pjesa qendrore dominohet nga një figurë njeriu me kokë kafshe. Pjesa jugore gjysmërrethore paraqet një skenë detare me peshq dhe kafshë të tjera detare, ndërsa pjesa veriore, po gjysmërrethore ka një motiv dekorativ më të zakonshëm në kontekstet kishtare: një kantar nga i cili dalin degë hardhie. Në kishë janë zbuluar edhe pjesë arkitektonike prej mermeri, fragmente dekori prej stukoje si dhe pjesë suvaje të pikturuar.
Vizitorët që duan të eksplorojnë edhe më shumë zonën përreth mund të dalin nga porta jugore dhe, pasi të kalojnë stoan jashtë mureve, mund të arrijnë deri në mbetjet e fshatit të braktisur të Ladovishtës disa qindra metra më tutje. Mbetja më e rëndësishme e fshatit është një kishë e dëmtuar dhe pjesërisht e ringritur.

**
Antigonea- qyteti që u lind nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja. Ky qytet ilustron një histori sfiduese të një prej qytetërimeve më të rëndësishme të antikitetit në Shqipëri dhe në botë, që i përkasin periudhës së shek të 3 dhe 2 para Krishtit. Disa objekte kulti i përkasin periudhës së parë të Kristianizmit. Antigonea u ndërtua me urdhër të Pirros, Mbreti i Molosëve, në vitin 295 para Krishtit për nder të gruas së tij Antigonea, si një dhuratë dashurie. Qyteti në fakt mbijetoi shumë pak, vetëm dy shekuj, pasi u dogj brenda natës me urdher të gjeneralit romak Amelius Paulus si hakmarrje ndaj Pirros. Atëkohë kështë ndodhte, nuk kurseheshin qytete të tëra si rezultat i një lufte apo një armiqësie.
Qyteti i Antigonesë të ngjan me një delfin, pasi shtrihet mes dy majave kodrinore që lidhen mes tyre me një rrugicë të ngushte. Qyteti shrihet në kodrën e Jermës. Maja e pjesës veriore është 700 metra mbi nivelin e detit dhe në krye na një fushë të vogël, ndërsa maja jugore është 600 m mbi nivelin e detit, e formuar nga një sërë taracash. Zona urbane e qytetit brenda mureve fortifikuese ndodhet në një sipërfaqe prej 60 ha, ndërsa gjithë parku ka një sipërfaqe totale 90ha.
Ajo që e dallon Antigonenë nga qytetet e tjera antike është plani katërkëndor dhe mjaft i rregullt urban. Qyteti është i organizuar në kuadrate ndërtimi bazuar në një sistem konteporan urban. Për herë të parë në qytetet tona antike, elementet urbane dhe arkitekturore shpalosen në këtë mënyrë. Në këtë qytet janë gjetur disa monedha rumbullake bronxi ku shkruhej Antigoneia, të cilat janë dëshmi të dokumentit të parë epigrafik që identifikon qytetin. Territori i qytetit antik është rrethuar nga mure solide rreth 4000 m të gjatë, që synonin ta mbronin qytetin nga gjithë anët, vecanërisht nga pjesa jugore dhe perëndimor ku rreziku ishte më i madh për shkak të natyrës së terrenit. Kodra më e lartë ishte e lidhur me këtë vendbanim me një korridor 4 metra të gjerë të formuar nga mure rrethues. Muret fortifikuese dhe shumica e shtëpive të zbuluara janë bërë nga bllogje të mëdha dhe të mesme prej guri gëlqeror të marra nga mali i Lunxherisë. Identifikimi i vendodhjes së Antigonesë është debatuar shumë, por merita i shkon arkeologut Dhimosten Budina, i cili gjatë gërmimeve të bëra në vitet 70 arriti të gjente disa karta votimi argjendi me emblemën e Antigonesë. Gërmimet arkeologjike të drejtuara prej tij zbuluan të paktën 10 objekte private, rrugë të shtruara me pllaka, tubacione uji dhe dysheme, si dhe një tunel që të conte në Pazar. Rruga kryesore rreth 6 metra e gjerë, përshkonte qytetin në një distancë të paktën 1 km, nga hyrja veriore të ajo jugore. Sipas arkeologëve shqiptarë dhe të huaj, dhe ekspertë të antikitetit, lugina e Drinos dhe distrikti i Gjirokastrës ka qenë një nga zonat me numrin më të madh të vendeve arkeologjike dhe me intensitet të lartë të ndërtimeve antike. Në këtë luginë numërohen gati 20 qytete antike dhe fortifikime, varre dhe tuma monumentale, tempuj dhe teatro antikë, nga ekstremi jugor i luginës në Selo Dropull i Sipërm në kufi me Greqine, në Melan dhe Sofratikë, deri në Lekël që është dhe pjesa veriore e luginës. Në këtë kontekst nuk ka dyshim që Antigonea është qendra kryesore e gjithe civilizimit antik të zonës. Ajo ndodhet në një pikë dominnuese në kodrën e Jermës në mes të rrjedhjes së lumit Drino, në jugperëndim të fshatit Saraqinisht. Distanca nga Gjirokastra është 14 km. Parku është i hapur çdo ditë nga ora 8.00-16.00. Bileta është 200 Lekë. Në ditët e festave kombëtare, hyrja është e lirë.

Harta e Parku arkeologjik i Antigonesë

Skip to toolbar