Ali Pashe Tepelena-Castle Visit gjirokastra

Kush ishte Ali Pashë Tepelena sipas Robert Elsie

Ai ishte sundimtari i Janinës dhe Shqipërisë së Jugut. Lindur në Beçisht, afër Kelcyrës, më 1744. Babai i tij, Veli Beu dhe gjyshi i tij Muhtar Beu, kishin sunduar në vazhdimësi në Tepelenë. Aliu bëri emër në vitet e para si bandit, dhe ishte i lidhur me Urdhrin Bektashi të Dervishëve. Në 1784 ai arriti të kapë qytetin e Delvinës me miratimin e heshtur të Sulltanit, dhe në 1785 ai ishte guvernator i Tirhala (Trikala) në Thesali, ku gjithashtu shërbeu si ‘derbenci aga’, (rojtar i kalimeve në male).

Më 1787 Aliu mori pjesë në fushatat ushtarake kundër Austrisë dhe Rusisë, duke integruar mirë veten me Portën e Lartë dhe në vitin pasues ai pushtoi Janinën, e cila do të bëhej fortesa e tij. Ky veprim u konfirmua më pas nga sulltani. Kështu Ali pasha shfrytëzoi avantazhet e dobësisë politike të Portës së lartë dhe rivaliteteve politike për të ndërtuar një perandori të tijën. Nga Janina, duke përdorur terrorin dhe brutalitetin, ai e zgjeroi sundimin e tij për të shtrirë sundimin në gjithë Shqipërinë jugore dhe qendrore, dhe pjesën më të madhe të Greqisë, duke ngritur një principatë pothuajse autonome, brenda Perandorisë Osmane. Ai  kishte forcat e veta të armatosura dhe marinën detare, dhe mbante marrëdhënie diplomatike me Anglinë, Francën dhe Rusinë. Ai u vizitua midis të tjerëve nga Lord Bajroni, i cili në një letër drejtuar nënës së tij në 12 nëntor 1809 fliste për takimet e tij me ‘tiranin’ e mrekullueshëm. Marrëdhëniet e Aliut me Portën e Lartë në Kostandinopojë ishin të tensionuara, por ai arriti të shmangte një konflikt të hapur me sulltanin për shumë vite.

Më 1820 kur Sulltan Mahmud II e shkarkoi përfundimisht nga të gjitha postet dhe dërgoi një ushtri nën Khurshid Ahmet Pasha kundër tij, Ali Pasha beri aleancë me Grekët që tashmë kishin ngritur krye kundër sundimit Osman, dhe nxiti kryengritje në Egje kundër osmanëve.  Janina u rrethua për dy vjet dhe kapitulloi në Janar 1822. Luani i Janinës u tërhoq në një ishull të vogël në Liqenin e Janinës, ku më pas u kap dhe i prenë kokën. Koka e tij u ekspozua për tre ditë në Janinë dhe më pas u dërgua në Kostandinopojë. Ali Pasha kujtohet për mizorinë dhe shpirtin e tij hakmarrës, në veçanti ndaj fiseve katolike të Himarës dhe Sulit. Sidoqoftë, ai nuk ishte thelbësisht antikristian dhe as nuk u ndikua nga iluminizmi evropian. Oborri e tij në Janinë ishte plot me diplomatë dhe oficerë evropianë, mjekë grekë, poetë, dervishë. Qëllimi i tij kryesor ishte një Shqipëri dhe Epir autonom, por në analizën përfundimtare, lufta e tij me Portën, më shumë se gjithçka, ndihmoi kauzën e Pavarësisë Greke. Sidoqoftë, Ali Pasha është vlerësuar në historiografinë e mëvonshme shqiptare si një figurë pozitive nacionaliste.

About the Author

By visit-gjirokastra / Administrator, bbp_keymaster

Follow visit-gjirokastra
on Dec 10, 2019

Skip to toolbar