Visit Gjirokastera

Puset qindravjeçarë të Gjirokastrës

Nëse gërmon poshtë gurëve të Gjirokastrës do të gjesh thesare. Kjo sepse asnjëherë nuk është gërmuar shumë thellë në zonën a pazarit të vjetër, që i ka reziztuar shekujve me radhë. Kur Gjirokastra u shpall qytet muze nga regjimi komunist në 1961, një numër i madh specialistësh por dhe vullnetarësh dhe fëmijë, u angazhuan për të mirëmbajtur qytetin dhe për të shtruar më kalldrem rrugët e gurta. Gjatë këtyre punimeve shumë objekte të nëndheshme u mbuluan.

Dhe ja u deshën disa dekada që Gjirokastra t’i nënshtrohej një tjetër restaurimi, ku u gërmuan kalldrëmet për të futur fijet elektrike e kabllo nën tokë si dhe për të rregulluar rrugicat e dëmtuara. Gjatë këtyre gërmimeve që nisën në 2017 e deri më sot, janë zbuluar dy puse 250 -300 vjeçarë.

I pari u zbulua në 2017, brenda ndërtesës më të fotografuar në Gjirokastër, të gjashtëkëndëshi. Pusi është brenda dyqanit të suvenirëve, në menaxhim të Kastriot Dhrami, dhe tashmë është mbuluar me xham, ku shërben edhe si atraksion turistik për gjithë turistët që hyjnë aty. Ky pus është gati 300 vjeçar dhe mendohet se ka ekzistuar para se të ndërtohej pazari. Niveli i ujit është deri në lartësinë 5 metra. Vizitorët teksa blejnë suvenire, qendrojnë mbi pjesën e xhamtë të pusit, bejne pyetje dhe e fotografojnë.

Pusi i dytë po kaq i hershëm u zbulua këto ditë maji 2020, pranë xhamisë në zonën muzeale në dyqanin që tashmë është në pronësi të një shtetaseje të huaj, biznesi i te ciles quhet Sweet Cellar. Gërmimet ishin pjesë e punimeve të xhamisë, e cila përfundoi së restauruari këtë vit. Pusi ka thellësi 9 m, ku deri ne 6 m eshtë e  mbushur me ujë. Ai ka qenë i mbuluar me kapak që nga koha e diktaturës ne vitet 1970. Shtetasja merikane është mjaft e kënaqur për këtë zbulim te dera e dyqanit të saj, pasi thotë se do e rrethojë në mënyrë të sigurt dhe do shërbejë gjithashtu si atraksion turistik.

Dihet se Gjirokastra nuk ka patur ujë të pijshëm dhe Ali Pashë Tepelena në vitet ‘800 krijoi një sistem të sofistikuar për të sjellë ujë në shtëpitë gjirokastrite. Mendohet se janë gjithsej 7 puse të tilla, të lidhura me ujësjellësin e Ali Pashë Tepelenës, por nuk dihet nëse ky sistem i nëndheshëm do të zbulohet ndonjëherë për publikun.

About the Author

By visit-gjirokastra / Administrator, bbp_keymaster

Follow visit-gjirokastra
on Maj 13, 2020

Skip to toolbar