fbpx
Sofat Festival1

Festivali SOFAT- ringjallja e jetës kulturore në fshatrat e Gjirokastrës

Muzika moderne, këngëtaret e njohur, sjellja e zhanreve të ndryshme muzikore si xhaz, rrok and roll, rege, ka qenë gjithnjë monopol për qytetet. Por festivali Sofat, një risi në gjithë festat lokale të Shqipërisë, po e ndryshon këtë koncept. Ky festival solli jetë në dy fshatrat e Gjirokastrës në dy javët e fundit.

Fjala Sofat ka një kuptim të veçantë, që vetëm Gjirokastritët e dinë. Bëhet fjalë për një pragun për të ndenjur përpara portës së shtëpisë, i bërë zakonisht prej gurësh të mëdhenj katërkëndësh të vendosur rrëzë murit në rrugët e ngushta të qytetit ose në fshatra. Shprehjet gjirokastrite e përforcojnë këtë fjalë: Sofat i gurtë. Guri i sofatit. Rrinin në sofat. U ul në sofatin e portës.

Qëllimi i festivalit ishte të trokiste në çdo portë, në çdo shtëpi të Gjirokastritëve në zonat rurale. Ky festival nuk solli vetëm këngëtarët dhe disa nga bandat më të mira, por edhe vizitorë vendas të cilët u akomoduan në shtëpitë e banorëve. Mysafirëve iu ofruan gatime të zonës dhe disa prej tyre u angazhuan me aktivitetet e fshatit si mbledhja e frutave, zierja e rakisë dhe verës, etj.

Aktiviteti i parë u zhvillua në Asim Zenel, në zonën e Antigones, nga data 27-28 Tetor dhe aktiviteti i dytë u organizua në Libohovë në datat 4-5 Tetor.

Në eventin e parë qindra njerëz u mblodhën në sheshin e fshatit Asim Zeneli. Bandat muzikore që performuan ishin: Officina Zoe from Italy, Fanfara Tirana ft Hysni Zela, Grupi polifonik i  “Lunxherisë dhe  Antigonesë si dhe grupi i sazave i Gentian Selfo.

Ndërsa në Libohovë performuan: Apres la Classe nga Italia, Linda Rukaj dhe banda e saj nga Franca, the Sazet e Libohoves dhe grupe të tjera folklorike.

Në të dyja aktivitetet atmosfera ishte fantastike. Qindra njerëz, të rinj e të reja ishin mbledhur nga fshatrat përreth për të festuar.

Banorët e zonave rurale po largohen nga vendi, jo vetëm për shkak të kushteve ekonomike por edhe për mungesë të aktiviteteve sociale dhe jetës kulturore. Festival Sofat synon të rikthejë gjallërinë dhe traditat kulturore në të gjitha zonat rurale të Gjirokastrës.

Eventi u organizua nga Visit-Gjirokastra dhe Turtle Fest, me mbështetjen e RISI Albania një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC.

Projekti Visit Gjirokastra synon të promovojë turizmin në rajonin e Gjirokastrës, duke përfshirë qytetet e këtij rajoni si Përmeti dhe Tepelena së bashku me fshatrat e tyre. Përveç ndërtimit të një portali online turistik www.visit-gjirokastra.com, janë bërë përpjekje të mëdha edhe për krijimin e një Shoqate Turizmi me pjesëmarrjen e bizneseve, me synimin krijimin e një strukture që mund të menaxhojë destinacionin në terma afatgjatë.

 

About the Author

By visit-gjirokastra / Administrator, bbp_keymaster

Follow visit-gjirokastra
on Oct 09, 2019