Kukulla e Ismail Kadaresë– një histori e një dashurie të vështirë në Gjirokastër

Gazeta prestigjoze “The Guardian”  i ka kushtuar  një artikull të plotë një prej romaneve të fundit të Ismail Kadare, me titullin “Kukulla”.  Libri flet per marrëdhëniet e tij me nënën e tij dhe kujtimet e përmallshme të vendit ku ai ka lindur Gjirokastra.

Ja çfare thotë artikulli:

“Në shikim të parë, romani autobiografik i Ismail Kadaresë mund të lexohet si një kujtim elegant, plot mall për kujtimet e vendit të tij të lindjes, që tashmë duket se kanë humbur në harresë. Ky vend eshtë qyteti shqiptar i Gjirokastrës dhe më saktësisht, shtëpia e të parëve të prindërve të Kadaresë, një ndërtesë prej guri e ftohtë, por historike që ndan ‘mendërisht’ dy gratë që duhet te jetojnë aty. Nga njëra anë, gjyshja e Kadaresë, zonja e vërtete e shtëpisë, e cila nuk pranon të largohet nga drejtimi, por të ruajë dominimin e saj, dhe nga ana tjetër nëna e Kadaresë, një nuse e re, që është dhe Kukulla e titullit që hyn në këtë grumbull të rrënuar gurësh, dhe i duhet të durojë forcën e vjehrës, e cila i thotë se “kjo shtëpi do të të hajë ty”. Eshtë nënëmadhja ajo që mban çelësat e çdo sunduku e dollapi në shtëpi dhe pa lejen e saj nusja s’mund të bëjë asgjë.  Është pikërisht ky konflikt dhe ky mjedis ku rritet dhe shkrimtari ynë, i cili edhe pse ka jetuar aty deri në adoleshencë, ka arritur të nxjerre njëra pas tjetrës romane me tema dhe detaje nga kjo shtëpi dhe ky qytet. Është kjo shtëpi ku autori i ri “me kokë të madhe” shpalos gjenialitetin e tij thotë Guardian.

Kukulla është plot me detaje interesante të jetës në një Shqipëri që po ndryshon, por ku futen plot ngjyrime të ndryshme të sundimit komunist. Një nga rrëfimet më të çuditshme është e një dite, në vitin 1953, kur prezervativët mbërrijnë për herë të parë në farmaci në atë qytet: “Kishte udhëzime kontradiktore që t’i lejonin apo ndalonin ato. Dyshohej se mund të ishin një provë për të identifikuar ndonjë dobësim të luftës së klasave pas vdekjes së Stalinit. Por më pas u kuptua që keto masa ishin marre me insistimin e Sovjetikëve dhe ishin të lidhura me të drejtat e grave (Rosa Luxemburg, etj), dhe pas gjithçka u qetësua ”.

Romani Kukulla është i pasur me plot rrefime te tilla, të shoqëruara me shumë shqetësime të njohura të Kadaresë – me rrënjët folklorike të jetës moderne, ose, me absurditetin e politikës shqiptare. Sidoqoftë, vëzhgimi i ashpër, ironia e hidhur dhe frika e gabuar që kalon në marrëdhënien qendrore të narratorit me nënën e tij, një grua fshehtasi e tmerruar nga zhgënjimi se do te ndihej e padenjë në momentin kur djali i saj te arrije famën që dëshiron, janë ato që mbizotërojnë këtë studim interesant të një dashurie të vështirë me nënën e tij. Autori e përshkruan nënën në këtë libër që nga momenti kur hyri nuse e deri sa ajo vdes.

Romani ashtu si dhe shumë romane të tjera të Kadaresë është përkthyer në shumë gjuhë të botësn dhe është një tjetër mundësi për t’u treguar botës famën e qytetit të tij të lindjes Gjirokastrës.

About the Author

By visit-gjirokastra / Administrator, bbp_keymaster

Follow visit-gjirokastra
on Jan 14, 2020

Skip to toolbar